I
Tërhiqen, nuk ikin, luajnë artin e mungesës.
Hapësira bahet altari i tyne,
dhe justifikimet, himnet qi këndojnë.
Panikosesh,
kapesh pas skajeve t’asaj që dikur ishte,
por sa ma shumë afrohesh,
aq ma shumë treten,
nji horizont i pakapshëm.
II
Kujtimi—e vërteta që e quaje t’pandryshueshme—
përkulet, thyhet nën vështrimin e secilit.
Mohojnë, jo vetëm veprën,
por edhe andrrën vetë,
sikur premtimi kurrë s’ka eksiztu,
sikur ishte llumi imagjinatës tande,
ngjyrë e t’ardhmes në nji pelhurë,
që kurrë s’ishte.
III
Faji bahet monedhë,
shpenzohet pa kursim.
“Teprim”
sikur dhimbja asht shtrembërim,
nji mashtrim i mendjes së lëkundur.
E vërteta, nji kujtim?
Një gja e brishtë,
E ndërtuar në imagjinatë,
ku fjalët e shtyjnë kufirin e saj.
IV
Emërtojnë:
paqëndrueshëm,
helmues,
manipulues.
Ndjenjat si pasqyra,
të krisura,
reflektojnë jo ty,
por jehonën e hijes së tyre.
V
Reflektorët e mashtrimit dridhen,
nji zjarr që reformon realitetin
në diçka të pranueshme për ta.
Ngulët këmbë,
sikur dhimbja, kur mbulohet me kujdes,
bahet dhuratë.
VI
U mungove,
mungesa e tyre
nuk ishte rastësi;
ishte qëllim.
VII
Prandaj— ndal.
Jo ata, por ti.
Ndal,
ndal së zhbëri.
Sepse edhe mungesa,
është zgjedhje.