Pashkët: Revolucioni i heshtun i dashnisë

Tash e disa ditë rrjetet sociale kanë t’shpërthy me urime të tipit: “Gëzuar Pashkët,” “Me paqe e dashni,” e dikush edhe ndonjë foto me bukë e verë, sa për të ba një like nga halla, daja, tezja, etj. Të gjithë fetarë në Insta, të gjithë teolog në Facebook, e çuditërisht, të gjithë kanë harru çka përfaqëson kjo javë e shenjtë. Po hajt, kjo s’asht hera e parë që e transformojmë sakrificën në selfie.

Jezusi u ul me tradhtarin. Jo për me ia qit dosjen në emision. E as për me ia bo bllok. Po për me ia la kambët. E sot? Tradhtari merr mbështetje, sponsorizim, e bahet “influencer”. Ata që falin, shihen si naivë. Ata që shërbejnë, si të paaftë. Ajo darka e fundit? Sot do kishte me i ngja një debati televiziv ku të gjithë bërtasin, e asnjani nuk e len tjetrin me fol.

Po a nuk kemi ne edhe këtu disa që deklarojnë se po mbrojnë të vërtetën e pastër? Me fjalor të ashpër, me retorikë gjyqtarësh dhe buzë të holla? Me “pastrim” moral, me rikthim në rrënjë, gjithmonë rrënjë që i përshtaten vetëm atyne vetë. A nuk është e çuditshme si në emër të Zotit, harrojnë dashninë që Ai vetë na mësoi?

Kryqëzojeni! Kryqëzojeni!. E thanë të gjithë bashkë. Populli. Pushteti. Feja. E gjithë elita që s’donte me humb kontrollin. Jezusi: i pafajshëm. E ky asht momenti kur historia ulëret: drejtësia e njerëzve është turmë. Po ku jemi sot?

Në Kosovë, të gjithë me gur në dorë. Kush nuk mendon si ti, është kundra teje. Kush nuk bashkohet me kauzën tënde, asht i humbun. O me ne, o armik i kombit, i fesë, i atdheut. Kanë lindë levizje që, me një dorë përqafojnë flamurin, me tjetrën ta synojnë me ta mbyll gojën. E krejt në emër të?. A thua Zoti u lodh e tash e kemi marrë me dorë të lirë me fol si profetë me Facebook.

E mas kësaj vjen ajo që asnjë sistem s’e priti: varri bosh. Jezusi ringjallet. Jo për me marrë pushtetin, as me u hakmarrë. Po me thanë: “Paqja qoftë me ju.”

E neve? Disa po presin një lider të lind nga skenat politike, ndoshta nga një bunker moral, e me na shpëtu krejt. Oo havera, Zoti nuk u shfaq si kryetar partie, as si prift/imam reformator, as si ideolog me plan për 5 vjet. Ai u shfaq me plagët e veta, që mos me i harru asnjëherë.

Në fund të ditës, Pashkët s’janë dekor për reklama të verës së kuqe, as motiv për me shajtë “të paudhin”. Janë një ftesë. Jo për me u ba më fetarë, por më njerëzorë. Jo për me pas më shumë rregulla, por më shumë dashni në shpirt. Dashnia për njerëzimin bani që Zoti me e vdek trupin e njeriut dhe me e ringjall atë.

Zoti nuk ka nevojë për tifozë. Ka nevojë për pasues. E pasuesit nuk lindin nga frika, por nga dashnia. E kjo dashni nuk tregohet me sharje online, por me guximin me ia lanë kambët dikujt që s’e meriton. A nuk ishte kjo pika kulmore e gjithçkaje?

Gëzuar Pashkët, jo për me i harru hallet, por për me i pa me sy të ri, dashurie, shprese e besimi. Se po nuk e ngjyrose shpirtin, kot i paske ngjy veztë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *