Duke e dëgju këngën “Redemption Song” të Bob Marley-t, lind nji ftesë e fshehur “Emancipate yourselves from mental slavery / None but ourselves can free our minds” nga e cila rrjedh nevoja për nji reflektim mbi njeriun e Kosovës përballë fenomenit fe! Sa shpirtra intelektual – të heshtun nga represioni i dogmave moraliste fetare, tashma me tonalitete patriotike – thërrasin për emancipim nga zinxhirët e skllavërisë mendore. Në një kohë kur demokracia është investimi themelor për përparimin e shtetit, ku bashkjetesa ndër-etnike dhe ndër-fetare e përforcojnë atë, a duhet të ç’montohen ndasitë? Apo duhet të pastrohet fenomeni? Çfarë i duhet njeriut të Kosovës të filloj hapin e parë të këtij procesi emancipues?
Aftësia e dallimit
I duhet aftësia e dallimit! Po! Dallimi thelbësor që duhet të bëhet në mes të udhëzimit shpirtëror dhe kurtheve të dogmave moraliste nën petkun e mesazhit “hyjnor”, të cilat e frenojnë lirinë dhe progresin individual. Njeriu i Kosovës ka etje për edukim të bazuar në liri individuale, ku udhëtimi shpirtëror është nji rrugëtim në vlera, të cilat i përgjigjen e nevojave post-moderne, e jo ti nënshtrohet ritualeve legalisteve, apo “recetave” morale të cilat fabrikohen për skllavizim, frikë, kontroll e uniformitet deri në ndikim në rendin kushtetues laik që gëzon Kosova. Ky laicitet bazohet në vlera të traditës filozofike të cilat reflektojnë në historinë e njeriut të Kosovës, që është “Eudaimonia” Sokratike – që do të thotë se qëllimi përfundimtar i jetës është arritja e lumturisë së vërtet, e cila si metodologji arritjeje ka “njohjen e vetvetes”, “njohjen e injorancës” si hapi i parë drejt dijes, zhvillimin e virtyteve, dhe përgjegjësinë civile!
…dogma të ngurrta nga mos besimi
Mesazhet e keqinterpretuara të besimeve monoteiste abrahamike shpesh shndërrohen në dogma të ngurrta nga ata që janë në karriget e predikimi, të cilët, duke mos besuar në ato të vërtetat hyjnore, krijojnë sisteme për të mbrojtur interesat e tyre personale. Në realitet, thelbi i këtyre mesazheve bën thirrje për kërkimin e së vërtetës dhe çlirimin nga kontrolli ideologjik.
Skllavëri e imponuar
Nietzsche, i keqkuptuar nga oportunistët, dhe Foucault ishin ndër filozofët që ekspozuan mënyrat e skllavërisë mendore që mund të imponojnë institucionet fetare. Nietzsche kritikoi klishetë morale të fesë që e kufizonin lirinë personale, ndërsa Foucault shfaqte analizën se si këto mund të kontrollojnë individët përmes normave të ngurta. A nuk është mjaftueshëm që njeriu i Kosovës të filloj procesin e observimit dhe të kritikës për të rikuperuar mesazhin e vërtetë që është liria shpirtërore. Kjo kritikë nxit procese emancipuese jo vetëm tek njeriu, por edhe tek institucioni fetar, duke e vendosur në krizë mbi veprimtaritë e tyre.
Kosova në mbrojtje të njeriut të saj
Kosova, si shtet i ri, duhet të kujtoj arsyejet e pavarësisë së saj dhe të jetë vigjilent në mbrojtje të qytetarit të saj nga rrymat puritane të çfarëdo feje apo ideologjie! Njeriu i këtij shteti duhet të reflektoj mbi këto kritika dhe të ndërtoj një shoqëri ku feja nuk është burim frike, kufizimi apo imponimi; ku feja nuk është kërcënim apo burim tjetërsimi për demokracinë; ku praktikat fetare zbatohen vetëm në tempullin ku e kanë vendin; ku “recetat” morale, se si të visheni, si te hani, e si të pini, etj., nuk garantojnë vend në parajsë por janë sisteme kontrolli dhe skllavërim, të cilat e fusin njeriun në vorbullën e injorancës që “Nëse ti i zbaton, ti je më afër Zotit” (rituale legaliste); ku çështjet shpirtërore janë individuale dhe të shenjta! Nuk ka “recetë” morale që shfajson njeriun nga krimi, dhuna, vjedhja, etj. Nuk mund të shfajsohet njeriu duke bërë mirë por duke u transformuar nga udhëtimi në takim me të vërtetën, “logos”, veprat e njeriut mund të përçojnë esencën e të vërtetës! E vërteta e ka tempullin e saj: Njeriu.
Njeriu i Kosovës ka nevojë për një emancipim nga dogmat morale që frenojnë lirinë dhe skllavërojnë mendjen. Çdo sistem apo mësim fetar duhet kritikuar, jo për të qenë i refuzuar apo banalizuar, por për t’u kuptuar në thelb dhe për të nxjerr prej tij, atë që kontribuon në zhvillimin personal.
Institucionet publike të edukimit duhet të pastrohen me urgjencë nga puritanët fetar! Institucionet fetare nuk duhet të diktojnë politikat e bashkëjetesës, por të kontribuojnë për një demokraci më cilësore, ku individët të kenë mundësinë të kërkojnë të vërtetën në liri dhe të formojnë një marrëdhënie autentike me Hyjnoren.
Rrugëtimi shpirtëror për të takuar të vërtetën liron nga kufizimet dhe skllavëritë mendore.
E vërteta të bën të lirë.