Po kërkojsha.
Jo naj libër me e kalu kohën, as naj punë me bo pare ma shumë…
Po kërkojsha diçka që m’kishte ngacmu tash sa kohë.
A na çnjerëzon frika, mor vlla? A na shndërron në diçka që s’jemi?
Tu e rrotullu në mendje këtë pytje, po e shihsha se s’asht veç frika. Janë edhe shamatat, mosmarrëveshjet, inatet e përditshme. Janë fjalët që na dalin me inat, janë zemërimet që na ngufasin përbrenda, janë shikimet që i bojmë njani-tjetrit si me kenë armik.
E në fund të ditës, a s’bahemi si kafsha që don veç me u mbrojt, me kafshu, me luftu… pa mendu hiq se çka po bajmë? E për ça?
Prej kurreshtjes e nisa me lexu ma shumë. Mora me lexu Jung-un, që flet për hijen, ato pjesë të errëta që i shtyjmë thellë mbrapa se na trembin. Po ai thotë se nëse s’i ballafaqojmë, ato na dalin përpara e na sundojnë.
Frika e kthen njeriun në gjys-njeri, të cilit i duhet përkatësia në “ne”, maskat, rolet, titujt… po harron me jetu jetën e vet të vërtetë.
M’u kujtu Frankl, që e ka pa ferrin me sy, në kampet naziste. Ai tregon për nji natë, në kamp, që u çu prej gjumit prej rënkimeve të shokut që po dridhte në gjumë nga nji makth i keq. Donte me e zgju, me e “shpëtu prej andrrës”.
Po, e ndali dorën…
Sepse kuptoi se asnji andërr, sado e frikshme, s’ishte ma e keqe se realiteti i kampit, ku njeriu ishte kthye në hiç.
A nuk ndodh edhe me ne sot?
Sa herë zgjohemi prej naj makthi, për me u përballë me ankthin e përditshëm?
Sa herë i jetojmë ditët me shamata e tensione që s’na lajnë as me marrë frymë si duhet?
Pastaj rashë te Dr. Goldberg, që flet për nji vetvete ma të naltë, për nji jetë përtej frikës e stresit.
Ai thotë se frika na mban në vibracion të ulët, na ngushton, na robnon në botën materiale.
Edhe andrrat tona, thotë ai, na i ul frika, i kthen në makthe, sepse na e ul frekuencën e shpirtit.
Ma kujtoi fjalën e Jezusit që i thotë Pjetrit: “Mos ki frikë.”
Fton me u çu përtej frikës, me kërku paqen dhe dashurinë që rri brenda nesh, jo me jetu në ankthin që na mbjell bota përreth.
Po sa ma shumë që po mendohesha, aq ma shumë po e kuptojsha se frika nuk asht veç nji ndjenjë që vjen vetvetiu.
Frika asht nji mjet, nji plan, nji sistem i ndërtuem me qëllim.
Historikisht, politikanët, ideologët, dhe teologjitë dhe doktrinat falso, e kanë përdor frikën për me nënshtru njeriun.
Jo gjithmonë me dhunë të dukshme, por me nji frikë që t’futët në shpirt, që t’ban me jetu si rojtari i burgut të vetvetes duke e shpalos “zotin” si killer, vrasës, denues, që ushqehet me gjakun e njeriut mëktar; e njeriun të destinuar për ferr nëse nuk i nënshtrohet praktikave specifike të cilat e çnjerzojnë gjithashtu!
Epo, frika t’ban me e pa ferrin kudo. T’ban me e pa tjetrin si armik. T’ban me u ngushtu deri në shpirt, tu e harru se kush je e pse je këtu.
E kështu, s’ke nevojë as për burgje, as për zinxhirë, frika mjafton për me t’ba skllav.
Por Frankl na kujton edhe diçka shumë të thjeshtë, por të madhe:
Ka gjithmonë nji hapësinë zgjedhjeje.
Mundemi me ndalu.
Mundemi me u kthy kah vetja.
Mundemi me refuzu frikën.
Mundemi me mos u ba vegël e saj.
Mundemi me zgjedh dashninë, paqen, mirëkuptimin.
Mundemi me zgjedh “Zoti asht dashni”.