01/12/2025 – Mikrokozmi i banalitetit

Prime 1 dhjetor 2025

Big Brother VIP Kosova 4 nuk asht veç show. Për mu, asht laborator, nji dhomë me xham, ku spektakli i shpirtit njerëzor zhvillohet live, me të gjitha kontradiktat e veta. Nuk e kam as minimumin e interesit me e moralizu emisionin. Përkundrazi… e shoh si rast ideal me pa njeriun në versionin e tij “të zhveshun“, “ciperdon-cullak“, të ekspozuem, të lodhun, të hutum, të etshëm për vëmendje, por prap të uritun për kuptim. Pascal-i thoshte se argëtimi (diversioni) asht mënyra ma e sofistikueme me ikë prej vetes, por edhe asht burimi i mjerimit tonë, sepse na pengon me u përballë me atë që jena në të vërtetë, me pak fjalë na shtyen me kriju nji tjetër-unë. Big Brother-i e ban dhe e shpalos pikërisht këtë paradoks, na argëton, duke na e vendosë para syve lodhjen, thatësinë dhe etjen tonë për kuptim.

***

Nëse nisim prej gjuhës, shtëpia jo vetëm sot por që nji kohë ka kenë laborator i nji fjalori që përfaqëson nivelin intelektual të banalitetit. Shprehje të randa, etiketime, fyerje personale, ironira t’shpejta, shpesh pa asnji vetëdije mbi peshën morale të asaj që thuhet. Debatet e ditëve të fundit mes Labit dhe Shkurtës, ku termat “i degjenerum”, “i shëmtum” e përmendja e njerëzve të sëmurë në karrocë përdoren si “armë retorike”, nuk janë veç sjellje individuale, por simptomë e nji kulture ku fjala nuk ka ma shenjtëri, por veç tingull, dhe e thanun prej nji boshtësie ajo nuk tingëllon por bën zhurmë. Nji filozofe si Arendt e përshkruante të keqen e kohës moderne si banale apo banalitet… shumica e së keqes, thoshte ajo, bahet nga njerëz që kurrë nuk vendosin me kenë as të mirë, as të këqij, thjesht nuk mendojnë. Në BB, ky “mos-mendim” shihet kjartë sepse fjala nuk kalon ma nëpër ndërgjegje, por direkt nga emocioni në mikrofon.

***

Figura e Labit rrumbullakos nji nga paradokset ma të forta të këtij prime. Ai hyn në shtëpi si “njeriu i popullit”, i ardhun prej “protestës me tre veta”, i paraqitun si simbol i dikujt që sfidon institucionet dhe rregullat e pashkruara për me hy në lojë. Por sapo e kalon pragun, nis me e trazu ajrin e shtëpisë jo përmes argumenteve a mendimit, por përmes provokimeve spontane, epiteteve personale, aludimeve, komentimin mbi pamjen, mbi historitë familjare duke i zhvendos gjanat në nji pistë ku fundi imagjinohet pa ndonjë vështirësi të madhe, konflikt, tension, përplasje. E, kur kjo spirale provokimesh kalon cakun dhe gjithçka i del nga kontrolli, vjen ai “m’fal” i thatë, pa shpirt, pa asnjë rrugëtim të sinqertë prej fajit te përgjegjësia. Nuk ka koherencë mes asaj që asht dhe asaj që thotë. Fjala e tij nuk duket se kalon prej mendjes, nuk del nga ndonjë analizë e brendshme, por shfaqet si nji reaksion acidik që ngrihet prej stomakut, refleks mbrojtës, jo nji proces ndërgjegjeje. Kështu, falja shndërrohet në teknikë ç’liruese, jo në akt moral. Kierkegaard-i shkruante se forma ma e zakonshme e dëshpërimit asht “mos me dashtë me kenë ai që je”. Labi, në këtë kuptim, mishëron njeriun modern të zhytur në këtë dëshpërim, dikë që ndërton nji imazh të frymë, e mbron me çdo kusht deri në konflikt, e pastaj e mbulon me nji “m’fal” procedural, pa prek kurrë pyetjen themelore “po unë kush jam në të vërtetë, përtej rolit që po luaj për kamera?

***

Mes Toney-t dhe Bia-s zhvillohet nji dramë tjetër antropologjike, patriarkalizmi përballë liberalizmit ekstrem dhe kjo kulminoi me mesazhet e babait të Toneyt: Bia-n nuk e duam, rri larg saj. Klipet ku ai i futet nën jorgan Bia-s, afrimiteti i tyne i komentuem publikisht, tensionet e deklarume e të pashprehuna, tregojnë nji duel të dy botëkuptimeve, ai që vjen prej një kulture ku familja, nderi, “gruaja e shtëpisë”, rolet e kjarta, janë akoma të shenjta; dhe ajo që mishëron trupin si kapital i lirë, seksualitetin si mjet vetëpërcaktimi, lirinë deri në kufijtë e absurdit dhe që i përgjigjet babait të Toney-it “nëse e kish eduku djalin, nuk ish dashtë të vinte këtu fare” duke e shpreh banalitetin e nji vetëdije kontradiktore që “unë jam në nji show që janë prezent njerëz të pa edukuar”. Në pamje të parë, duket sikur kemi thjesht “romancë nën jorgan” për klikime që mbaron me ardhjën e babait. Po në të vërtetë, këtu u përplasen dy antropologji “njeriu të humbur në nderizëm” kundër “njeriut të humbur në lirizëm”. Shoqnia jonë sot asht e ngujueme pikërisht në këtë mes, mes subjektivitetit të lidhun me komunitetin (familje, traditë, nder) dhe individualizmit që nuk njeh asnjë normë tjetër veç “unë dua”. Big Brother-i veç e rrit volumin e këtij konflikti që jetojmë përditë jashtë.

***

Pastaj vjen Alba, si metaforë e nji brezi që tenton me shu dukjen e së kaluemes, jo përmes pendesës, por përmes skenarëve të rinj. Ajo qëndron në shtëpi si personazh-viktimë e formatueme nga reality-t e mëparshëm, me nji histori personale të mbushun me drama publike, ndarje, rikthime, rrëfime. Kur përplasjet me Elijonën për bullizimin shpërthejnë, Alba nuk reagon si dikush që pyet: “a e kam lëndu nji njeri konkret?”, por si dikush që sheh imazhin e vet në ekran dhe frikësohet se po dëmtohet brand-i Alba. “Dal nga shtëpia tani! Më sillni arushin!”, piskama e saj gjatë primet ku akuzon produksionin për manipulim të imazhit, nuk asht vetëm dramë televizive alla Bidai, asht kriza e njeriut që nuk di ma me dallu veten nga roli që ka ndërtu. Kur nji tjetër banor thotë se Alba “e do vëmendjen e çdo debati, mundohet me u dukë në çdo prime”, kjo nuk asht thjesht xhelozi, asht diagnoza e nji kulture ku kauzat zgjidhen në funksion të fjalimit robotik, me za të lartë, që të jep qendër skene, jo të vërtetës që të shtrin për tokë. Për ironi, deri edhe nocioni “Zot” përdoret si pjesë fjalimi, jo si horizont i vlerave absolute, Zoti bëhet figurant në monologun Albës (që përfaqëson nji pjesë të banalitetit shoqëror), jo Autor i tij.

***

Gjuha banale, vetëmadhështia naive, lufta mes patriarkalizmit dhe liberalizmit ekstrem, shkrirja e falsitetit përmes kauzave të sajuara, të gjitha këto nuk janë veç “gafat” e banorëve. Janë radiografi e nji shoqnie që ka humb çokun, d.m.th. boshtin e vlerave dhe endet mes spektaklit dhe thatësisë kolektive. Njeriu modern jeton mes mahnitjes dhe dhe banalitetit, çuditet për veten vetëm kur sheh veten në ekran, por humb krejt kur duhet me u ballafaqu me thellësinë e vet. E bash nervin ma çojnë sepse ky asht ai lloj njeriu që don me e zhduk pyetjen “pse jam në botë?” dhe don me e zëvendësu me “sa më panë sot?”. Big Brother-i, në këtë sens, nuk e shkatërron njeriun, thjesht e zhvesh siç thash ma heret “cipërdon-cullak”.

Taman për këtë arsye, nuk du me e mbyll diskutimin me frazën “këta janë të degjenerum, shoqnia asht prishë” si pleq që pijnë raki e hajnë pilaf. Ma e logjikshme asht me ba pyetje që me na nxit me ik nga matrix-i i shoqërisë moderne… me pyetje si sa herë shprehem pa dasht me u ndal e me e kuptu fjalën dhe peshën që mban ajo? Sa herë kam mbulu naivitetin e papërgjegjësisë me nji “m’fal” formal, alla Labi? Sa herë e kam përdor familjen e nderin si mbulesë të frikës sime nga liria, ose lirinë si shans me ikë prej çdo përgjegjësie? Sa herë kam ba alla Alba, duke i shpik kauzat në funksion të imazhit e jo të së vërtetës? Ndoshta, përtej gjithë zhurmës, Big Brother VIP Kosova 4, në primet e veta të tensionuara, na fton pikërisht në këtë pikë, me vendosë nëse duam me kenë ajo që jemi, apo veç personazhe të vetë-harruara të nji spektakli që e quajmë jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *