N’kët cep t’Europës, ku historia s’asht shu, po veç u struk nën hije, ka nji pytje që s’pret ma përgjigje, por njerëz që kanë guxim me ja ba vetes:
Nese nuk nis prej vetes, prej kujt me nis?
Mos e merr si nji shprehje t’zakonshme. Asht nji klithmë që rrxon për tokë çdo identitet t’gatshëm, çdo fe t’trashigueme, çdo flamur që e valojnë tjerët për ne. E në Kosovë sot, nji vend mes thirrjes për me kenë “t’moralshëm” , mes mallkimit për rrënjtë t’harrueme, e mes përqafimit t’”lirisë” pa Zot që e shet perëndimi, njeriu mbet veç fushë lufte për ideologjitë e huja.
S’po nis kush prej vetes. Nisen prej çka kanë ni, çka asht kollaj, çka e kanë përtypë të tjerët për to.
Po pytja rri pezull, si nji dritë që nuk fiket:
Nese nuk nis prej vetes…
Me nis prej vetes, do me thanë me u përballë me heshtjen tande. Jo me heshtjen e Facebook-ut, as të hoxhës, as të priftit, por me atë zanin që ndigjohet veç kur mbyll sytë e hesht krejt. Aty ku t’del përpara ajo fjalë që s’asht e jotja, po që s’mundet kush me ta mbyll gojën me t’thanë: “A e din kush je?”
Po kush ka guxim me u dëgju, kur na kanë msu me besue verbnisht, e me dyshu veç kur na vjen ndonji ide që s’na hyn në punë?
Nuk asht veç çeshtje feje kjo punë. Asht çeshtje njeriu.
Çfarë vlene me kenë nji shqiptar, nese s’ke guxim me nis prej vetes?
Je veç figurant n’nji dramë të tjerëve. Mund të jesh i përkushtuem, patriot, “evropian”, por s’je kurrë vetja. Je rob i dogmës, por jo mik i dyshimit. Nuk i beson zemrës tande, e prandaj mbet pre e zemrave t’huaja, zakonisht ma t’ftohta, ma t’forta, ma t’pashpirta.
Me nis prej vetes do me thanë me ndalë së kërkuemi armikun jashtë. Nuk asht armku i jashtëm problemi jonë.
Asht dembelia shpirtënore. Ajo që s’na len me pytë:
Kush jam kur s’po më sheh kush? Për çka besoj? Për çka urrej? A po due me u nrrue vërtet?
Janë pytje që djegin, por veç ato mund me shpëtue njeriun e Kosovës prej me u ba kukull e shejte në nji teatër profan.
Jo, me nis prej vetes s’asht egoizëm. Asht përulësi e vërtetë. Asht me e marrë seriozisht atë që je para se me kenë pjesë e naj tufe je njeri.
Njeri që din me dashtë, me mendue, me dyshue, me falë.
E veç kur nis prej këtij vendi, ke me mujt me pa tjetrin jo si kundërshtar, por si bashkërrugtar.
Pra, n’nji Kosovë ku fjala “fe” përdoret si shpatë, “liria” si karrem, ka veç nji rrugë që shpëton: me u kthye te vetja.
Jo te vetja që rrin mbyllun, por te vetja që mendon.
Te vetja që ka kujtesë, por nuk rron me të kalumen si idhull.
Te vetja që ka fe, por që e kërkon, jo që e ushqen me urrejtje.
Te vetja që ndërton vendin jo me propagandë, por me zanin që gjithkush mundohet me e mbytë, zani i ndërgjegjes.
Se po ta them shqip:
Kush s’niset prej vetes, nuk niset kurrë.
Veç zhgarravitet prej të tjerëve.
E kush zhgarravitet, nuk mbrrin kurrë aty ku vlejnë me shkue.