Muzika nuk është mëkat, por jehonë e krijimit

Në fillim s’ka qenë drita, ishte Fjala në Hyjin dhe Fjala ishte Hyj… Nga dridhja i Fjalës shpërtheu çdo gja. E kjo dridhje ka shkaktu lëvizje, që i ka dhanë dritës formë e botës jetë. Sipas teorisë së Big Bang-ut, universi ka lind prej nji shpërthimi t’madh, nji akt primal që s’ka qenë veç shpërthim energjie, por nji valë e madhe dridhjeje, nji notë kozmike që ende tingëllon në strukturën e gjithësisë.

N’thelb të gjithçkaje që ekzisto, atome, yje, qenie të gjalla, janë dridhjet. Çdo grimcë, çdo fije ekzistence, lëkundet. Edhe materia s’është tjetër veçse nji frekuencë e ngrime. Po ta shihshim realitetin, jo me sytë e mishit, por me veshët e shpirtit, kishim kuptu se gjithësia nuk asht vend, asht nji melodi. Nji simfoni pa fillim e pa mbarim, që rrjedh, shpërthen e rikrijohet, si nji fugë pa fund e Bach-ut.

***

Filozofët e vjetër, sidomos ata të Pitagorës, e kanë përshkru universin si “muzikën e sferave”. Sipas tyne, trupat qiellorë lëvizin në nji harmoni të saktë matematike, tu kriju nji muzikë që asht gjithmonë aty, por që ne s’mundem me e ndie me veshët e zakonshëm. Sot, edhe fizika kuantike, me gjithë ftohtësinë e saj shkencore, e pohon këtë ide: gjithçka në univers asht frekuencë. E frekuenca, në thelb, asht tingull.

Pra, n’thelb të gjithësisë, asht muzika. E nëse, siç thotë Bibla, jemi krijue “në shëmbëlltyrën e Hyjit”, atëherë s’ka kurrgja ma natyrale se me e pa muzikën si mënyrën ma të thellë për me komuniku me Të. Sepse nëse Ai e ka krijue gjithësinë përmes nji dridhjeje fillestare, atëherë çdo melodi asht si nji kujtim i atij akti hyjnor, nji jehonë që troket brenda shpirtit tonë.

***

Krishterimi s’e sheh muzikën si rrezik. Pyetja e vetme që i ban asht: “Kujt po i shërben kjo muzikë?” Nëse asht për lavdi, për dashni, për ndriçim të shpirtit, atëherë jo veç që lejohet, por asht e shenjtë. Historia e krishterimit vetë asht e mbushun me muzikë, prej himneve të para të Kishës së hershme, e deri te koralet e mëdha të barokut që t’çojnë në ekstazë shpirtërore.

N’liturgjinë krishtere, muzika s’asht zbukurim kot, asht mënyra me u bashkue me engjëjt që “këndojnë lavdinë e Hyjit ditë e natë”. Kur këndon njeriu, bahet pjesë e nji kori që s’shihet, por që tingëllon thellë n’gjithësinë shpirtërore.

Kjo s’asht thjesht poezi, asht ontologji, thelb i qenies. Muzika asht mënyra ma e natyrshme me të cilën shpirti i njeriut reagon kur përballet me të bukurën. E nëse Zoti asht burimi i gjithë së bukurës, atëherë muzika s’mundet me qenë pengesë, përkundrazi, asht rrugë për me shkue te Ai.

***

Sistemi i shtatë notave që përdorim sot, s’ka lindë në ndonjë laborator shkencor, por mrena mureve të nji manastiri. Prifti benediktin, Guido d’Arezzo, n’shekullin XI, pa që këngët kishtare mund të sistemoheshin ma lehtë për me u mësu. Mori nji himn kushtue Shën Gjon Pagëzuesit, edhe prej çdo vargu të tij, nxori nga nji notë: Ut, Re, Mi, Fa, Sol, La. Ma vonë u shtue edhe Si, e “Ut”-i u ndërrue me “Do”, që me qenë ma e lehtë me u shqiptue.

Pra, edhe sistemi muzikor që përdoret sot kudo, në opera, simfoni, koncerte, këngë pop, ka lindë në nji kontekst të shenjtë. Asht i krishten në origjinën e vet, jo veç si teori teknike, por si akt shpirtëror. Muzika s’asht veç nota, asht lutje e strukturueme. *** dhe e keni ndi shprehjen Zoti shkruan drejt edhe në gabimet njerëzore, ashtu asht edhe muzika notat janë të emrueme edhe pse tekstet njerzore mund të jenë tmerr.

***

Për këtë arsye, muzika shpesh ka qenë n’shenjestër prej atyne që dojnë me kontrollu jo veç trupin, por edhe mendjen e shpirtin e njeriut. Sisteme e ideologji që mbajnë pushtetin tu përhapë frikë, e kanë pasë gjithmonë muzikën si armik, sepse muzika s’e njeh frikën. Ajo zgjon ndjeshmëni, të shtyn me mendu, me ndi, me dalë jashtë rreshtit. Krijon bashkësi që nuk mbahen me frikë, por me rezonancë, me at lidhje të padukshme që bashkon shpirtin e njeriut me tjetrit.

Ka rrjedha që, n’emër të moralit të tyne të shpikun, e ndalojnë muzikën. E ndalojnë se ajo i ban njerëzit me ndi… e kur njeriu ndien, fillon edhe me mendu. E aty ku lind mendimi, liria nuk vonon me ardhë. Muzika nuk asht mjet për me disiplinu, asht frymë që çlirohet. E kur fryma çlirohet, kontrolli nuk funksionon ma.

Por muzika s’pranon me heshtë. Ajo asht zani i shpirtit që nuk mbyllet n’burg. Nuk rri urtë, nuk i bindet kambanave të frikës. Asht liria që buçet ndër tinguj, dëshmia që edhe kur shtypet njeriu, prap ka me këndu. E për këtë arsye, ajo ndalohet prej atyne që i dridhen shpirtit të gjallë, se aty ku ka muzikë, ka jetë. E jetën e vërtetë s’e sundon kurrkush.

Muzika nuk është mëkat, por jehonë e krijimit

Muzika s’asht luks. Asht nevojë. Nji mënyrë me u lidhë me diçka që s’ka formë, po ka prani. Kur njeriu nuk din çka me thanë, kur dhimbja, gëzimi apo dashnia nuk kapen dot me fjalë, aty lind muzika. Ajo del prej shpirtit pa i kërku leje logjikës. Asht si fryma e parë që merr fëmija kur del në dritë, nuk e mëson, thjesht e ban.

Nëse Zoti ka krijue gjithësinë me nji vibrim, atëherë çdo tingull që ne nxjerrim me zemër, asht si me e thirrë Atë në gjuhën që Ai vetë ka përdorë kur na krijoi. Nuk asht çudi pra që muzika mundet me çue njeriun në ekstazë, me i prekë shpirtin në thellësi që as vetë nuk i ka kuptu kurrë. Nuk ka të bëjë me argëtim, por me përjetim. Muzika asht mënyra se si shpirti i njeriut i kujton vetes se ka lindë prej dritës, jo prej errësinës.

Edhe kur muzika vjen nga dhimbja, ajo asht e shenjtë. Sepse nuk e fsheh plagën, por e kthen në art. E n’at art, Zoti ban vend. Sepse Ai nuk kërkon perfeksion, por sinqeritet. E muzika e sinqertë, edhe kur del prej shpirtit të thyem, asht ma afër qiellit se çdo predikim i thatë.

Muzika nuk kërkon leje me hy në shpirt, ajo hyn vetë, e ban vend, e ndez dritën. Dhe aty ku ka dritë, nuk ka vend për mëkat. Sepse aty ku shpirti i njeriut e takon Zotin, jo në fjalë, po në rezonancë, aty ka vetëm dashni. Dhe “Zoti është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Zotin dhe Zoti në të.” (1 Gjoni 4:16)

Prandaj, kur dëgjon muzikë që të dridh shpirtin, mos ki frikë. Ki frikë kur nuk ndjen asgja. Se shpirti që s’rezonon, asht ose i mbyllun, ose i fikun. E asnjani prej këtyne s’asht rrugë për te Zoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *