Kurani thot: “Le të gjykojnë pasuesit e Ungjillit…” e k’tej disa thojnë ka ndryshu… dica nuk shkon!

Plotësimi

Si fillim…

E ndiej si domosdoshmëri me thanë troç se ka ardhë koha me i fol gjanat kjartë. Jo për me i ndez gjaknat, as për me hy në grindje pa dobi, por për me dhanë ca sqarime që mendoj se janë të nevojshme në një klimë ku ngatërrohet gjithçka, edhe feja, edhe historia, edhe logjika.

S’po flas në erë. E kam parasysh çka po ndodh në Kosovë, e s’po flas për ndonjë hall me Islamin si fe, po për një lloj apologjetizmi islam që po vjen nga shkolla teologjike athariste, ku disa “predikues” jo vetëm po e paraqesin versionin e tyne të Islamit si të vetmin të vërtetë, por po guxojnë me fol edhe në emër të Krishterimit. E jo për me e kuptu, por për me e deformu. Me opinione të natës në kafe, me logjikë emocionalo-folklorike, me “argumente” që ndalen te fjala e parë.

Këta apologjetë nuk e diskutojnë Krishterimin nga brenda, por e shohin me sy të huaj, me matësin e sistemit të tyne. Interpretimi i Biblës bahet përmes modelit të shpalljes islame; Jezusi analizohet sikur të ishte një profet në rresht me të tjerët; dhe çdo gjë që nuk përputhet me logjikën e shkollës së vet, shpallet e modifkume.

E kam thanë edhe më herët: nuk ka faj ai që s’di. Por ai që din dhe e përdor dijen për me mashtru të tjerët: ai po. Aty fillon problemi. Sidomos kur sulmohet hyjnia e Krishtit, kur thuhet se Bibla është falsifikuar, apo kur paraqitet feja krishtere si një “shtesë e gabuar” në historinë e shpalljes.

Personalisht nuk e kam lluksin me heshtë. Jo nga nervi, po nga bindja se kujtesa nuk mundet me u lënë në dorë të harresës së organizuar. Sepse vetëm kur shpaloset e vërteta, ka bashkëjetesë të vërtetë. Harmonia s’mund të ndërtohet mbi mohim apo manipulim.

Po më dhemb që sa herë që një i krishterë tenton me dhanë argumentin e vet, me fakte historike, me përvojë dy mijëvjeçare që e ka jetu, me të vërteta që nuk janë shprehje personale por të transmetuara nga brezni në brezm, atëherë menjëherë del dikush që thotë: “Shshsh! Ruani harmoninë fetare!”

Po çfarë harmonie është ajo që ngrihet mbi heshtjen e njanës palë? A është tolerancë me mbyllë gojën dikujt që po tregon çfarë beson?

Unë jam krejtësisht dakord që bashkëjetesa fetare duhet me u ruajt. Por ka një kusht: që e vërteta mos me u mohu, e as me u shtrembëru, por me u shpalos. E vërteta nuk e fyen askënd, fyen vetëm mashtrimin dhe mashtruesin. Ajo nuk sjell ndasi, përkundrazi, i shëron ato.

E pikërisht për këtë arsye, prej tash e tutje kam vendos me fol, herë pas here, mbi temat që janë në shënjestër të vazhdueshme. E po e filloj me nji nga ma të zakonshmet: pretendimi se Bibla paska qenë e ndryshueme.

Do t’jap argumente, me gjakftohtësi, jo me mllef. Për me pa ai që ka dëshirë – se kjo tezë, kur e çon në dritë, s’mban ujë askund.

Bibla s’asht shpikje e papëve, por një histori e gjallë që ka lindë prej besimit

Ka nji ide që qarkullon, sidomos ndër ata që e shohin Krishterimin prej jashtë, që Bibla na qenka produkt i Vatikanit, i ndonjë mbledhjeje papësh në ndonjë zyrë të errët, ku është vendos kush me hi e kush me dalë nga “libri i shenjtë”. Kjo ide asht thjesht e pavërtetë, dhe mbi të gjitha, e padrejtë për krejt ata që e kanë ruejt dhe jetu Fjalën me gjak e lot.

E vërteta është kjo: Kanoni i Biblës, domethënë përmbledhja e librave që Kisha i konsideron të frymëzuar, nuk ka ra nga qielli si listë. As nuk u shpik nga ndonjë autoritet i vetëm. U ndërtu nëpër shekuj, përmes jetës reale të besimtarëve që lexonin, predikonin, këndonin, diskutonin dhe u persekutonin për ato fjalë. E për çdo libër që sot është pjesë e Biblës, ka pas debat, discernere (zgjedhje) dhe njohje komunitare.

Nuk ishte ndonjë pushtet që e diktoi. Ishte një proces organik, ku u përdorën disa kritere të qarta:

  • A është libri i lidhur me një apostull, ose me ndonjë dëshmitar të dorës së parë?
  • A është përdorur në liturgji në mbarë Kishën?
  • A përputhet me mësimin që dishepujt kanë trashëgu?
  • A ka qenë i pranishëm në përdorim të vazhdueshëm që prej fillimit?

Në vitin 397, në Këshillin e Kartagjenës, u përmbyll ky proces në mënyrë formale, e më herët ishte parapri nga Papa Damasi në vitin 382. U vendosën 73 libra: 46 të Dhiatës së Vjetër, 27 të Dhiatës së Re.

E për habi të kujtdo që mendon se Kisha ka “fshi” apo “manipulu” diçka, jo vetëm që nuk i ka zhdukë librat jashtë kanonit, por i ka ruajtë. Librat apokrifë (si Ungjilli i Tomasit, Judës, etj.) janë të lexueshëm sot, janë botu dhe përkthy, e askush s’po e ndalon leximin. Veçse s’janë pranu si të frymëzuem, sepse nuk i plotësojnë kriteret që përmendëm ma nalt.

Po çfarë janë Besëlidhja e Vjetër e Besëlidhja e Re? A kanë lidhje mes veti?

Për shumë njerëz, sidomos për ata që e shohin Biblën për herë të parë, duket sikur janë dy botë: njëra plot me ligje të rrepta, luftëra, ndëshkime dhe urdhërime; tjetra me mëshirë, dashuri, falje dhe shpresë.

Por nëse nuk e sheh sipërfaqshëm, e kupton që nuk janë dy realitete që përplasen, por dy pjesë të një rruge që shpie kah një horizont i përbashkët.

Besëlidhja e Vjetër është si pyetja që lind nga historia: Pse vuajmë? Pse jetojmë? Ku është drejtësia? A ka kuptim sakrifica? A do të vijë dikush që e çon botën në rrugë të drejtë?

Besëlidhja e Re është përpjekja me dhanë një përgjigje: nëpërmjet Jezusit që nuk dha fjalë por ai ishte Fjala dhe dha jetën e vet, e që nuk mbeti në varr, por e theu vdekjen.

Pra, Besëlidhja e Vjetër e përgatit skenën për me kuptu se kush është ky Jezus që s’erdhi thjesht me ligjëru, por me përmbushë çdo ligj e profeci që ishte thanë. E gjithë historia e Izraelit, profetët, psalmet, ligji, janë si gurët e themelit ku mbështetet figura e Krishtit.

Kjo lidhje nuk është mitologjike. Është narrativisht, historikisht dhe filozofikisht koherente: nëse pjesa e parë e Biblës ngre pyetjet, pjesa e dytë guxon me dhanë përgjigjen. Dhe kjo përgjigje nuk është një ide, por një Person.

Dorëshkrimet e vjetra flasin vetë – nuk ka asnji komplot

Deri më sot nuk ekziston asnjë dëshmi historike e besueshme që tregon se Kisha ka falsifikuar apo ndryshuarBiblën. Kjo ide qarkullon shpesh, sidomos në qarqe islamike apologjetike, ku thuhet me të madhe: “Bibla është e ndryshuar!”. Por kur i pyet: “Ku? Kush e ndryshoi? Në cilin dorëshkrim shihet ndryshimi?”, – askush s’ta jep një burim konkret. Janë thjesht fjalë që qarkullojnë, pa lidhje me faktin.

Po faktet janë këto, dhe s’kanë nevojë as me u stërhollu:

  • Codex Sinaiticus, i shek. IV pas Krishtit, është një ndër dorëshkrimet më të plota të Biblës që ekzistojnë. U gjet në manastirin e Shën Katerinës në Sinai. Teksti që ka brenda është praktikisht identik me Biblën që lexojmë sot. Dallimet janë në ndonjë fjalë që është lëshu ose është përsërit aksidentalisht, siç ndodh kur e kopjon me dorë.
  • Codex Vaticanus, po i shek. IV, ruhët në Vatikan. Përmban tekst të pastër, pa ndërhyrje, dhe kur e krahason me dorëshkrimet që janë gjetë nëpër botë, në Siri, Egjipt, Itali, Greqi, vërehet një përputhje që s’të len me dyshim.
  • Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, të gjetuna në shpellat e Qumranit (shek. II p.Kr. – shek. I p.e.s.), përmbajnë fragmente prej pothuajse krejt librave të Dhiatës së Vjetër. Kur krahasohen me tekstet hebraike që kanë ardhë më vonë, ndryshimet janë minimale: një rend i frazës, një shkronjë e mangët, një formë tjetër e ndonjë fjale, por përmbajtja thelbësore është identike.

Kjo do të thotë se s’ka pasur as “dorë papësh”, as “komplot perandorësh”, as “manipulim kishtar”. Vetë fakti që ekzistojnë qindra e mijëra dorëshkrime që nuk janë fshirë, por janë ruajtë , është prova që Kisha s’ka pasë asgjë për me fsheh.

Sot kemi mbi 5.800 dorëshkrime greke të Dhiatës së Re, për mos me fol për qindra të tjerë në latinisht, sirisht, koptisht. E kur i krahason, studiuesit bien dakord: mbi 99.5% e tekstit është i qëndrueshëm. Dallimet që ka nuk ndikojnë as në doktrinën, as në mesazhin thelbësor.

Po nëse dikush dëshiron me besu që Biblën e ka ndryshu dikush, atëherë duhet me dhanë dorëshkrimin origjinal dhe versionin e “falsifikuar”, edhe me na tregu ku është ndërhyrja. E për aq sa dihet deri më sot, asnjë apologjet islam nuk ka pru asnjë dorëshkrim të vetëm që dëshmon ndryshimin. Vetëm fjalë.

Po Islami pse thotë se Bibla është ndryshu? Çka s’del këtu?

Tash që pamë se çfarë është Bibla dhe si asht ruajt me aq përpikmëni, lind pyetja: prej kah ka dalë ideja që ajo paska qenë e falsifikueme? E këtu hyn Islami me një pretendim që, po ta kthjellosh me mend, s’del as në aspektin historik, as në atë logjik, e as në aspektin kuranor.

Apologjetët islamë, sidomos të shkollës athariste, shpesh thonë: “Ungjilli dhe Teurati janë deformuar, prandaj Zoti dërgoi Muhamedin me e përmirsu rrugën.”
Në pamje të parë, kjo tingëllon e arsyeshme, por nuk qëndron kur hyn thellë.

E para:
Në shekullin VII, kur jetoi Muhamedi, nuk ekzistonte një përkthim i plotë i Biblës në arabisht. Teksti i shenjtë që njihej nga të krishterët (Bibla) nuk ishte as i unifikuar në publikun arab, e as i qasshëm për lexuesin e zakonshëm. Kjo do të thotë se nuk ka si të akuzohet për “falsifikim” një tekst që as nuk ishte i pranishëm në atë kontekst.

E dyta:
Komunitetet e krishtera që gjendeshin në Arabi në atë kohë, si nestorianët dhe ebionitët, nuk përfaqësonin traditën Kishës, por ishin rryma të diskutueshme, me ide të ndryshme nga ajo që mësohet në Ungjijtë e kanonizuar. Pra, përfytyrimi që pati Muhamedi për Jezusin dhe për Ungjillin, duket se u ndikua nga këto burime të pjesshme e jo nga teksti i mirëfilltë i Biblës.

E treta:
Vetë Kurani në shumë vende e përmend Ungjillin si shpallje të vlefshme dhe i urdhëron të krishterët që të gjykojnë sipas tij. Në Sura 5:46 thuhet:

“Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, Ungjillin – në të cilin ka udhëzim dhe dritë…”

Dhe menjëherë në 5:47 vijon:

“Le të gjykojnë pasuesit e Ungjillit sipas asaj që Zoti ka shpallur në të…”

Po nëse ky Ungjill qenka i prishur, si ka kuptim me u kërku të krishterëve me e ndjek?
Këtu kemi një kundërshti të brendshme logjike në vetë strukturën e argumentit islam:

  • Ose Ungjilli është i vlefshëm, dhe atëherë nuk ka nevojë me u “përmirësu” me një tjetër libër;
  • Ose është i falsifikuar, dhe atëherë është absurde që Zoti t’ju kërkojë të krishterëve me gjyku sipas diçkaje të rreme;
  • Ose apologjetët islamë i japin përparësi haditheve dhe jo vetë Kuranit, e kjo është temë tjetër, brenda debatit të tyre të brendshëm.

Pra, kjo tezë, që Kurani është zbritë sepse “Bibla është ndryshu”, është një arsyetim i vonshëm apologjetik, që nuk buron nga vetë teksti kuranor, por nga komentet e mëvonshme që synojnë me zgjidh mospërputhjet e dukshme mes dy shpalljeve.

Stoopp…“I dhamë Isait Ungjillin”, po çfarë don me thanë kjo?

Në Suren 5: 46 thuhet: “Ne i dhamë Isait (Jezusit) Ungjillin.” Në pamje të parë, kjo duket si një deklaratë e qartë: Jezusi ka marrë një libër. Por po ta analizosh ma thellë, e kupton se kjo ide nuk qëndron as teologjikisht, as historikisht.

Në traditën islame, shpallja është konceptuar si një libër i zbritun: Muhamedit iu dha Kurani, Musës iu dha Teurati, Davidit Zaburi, dhe Isait, sipas këtij modeli, iu dha “Inxhili” (Ungjilli).

Por Krishterimi nuk e koncepton kështu shpalljen. Në Krishterim, shpallja nuk është libër, por person quhet Jezus Krishti.

Në fillim të Ungjillit sipas Gjonit thuhet:

“Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Zotin, dhe Fjala ishte Zot… dhe Fjala u bë mish.” (Gjoni 1:1-14)

Pra, sipas Krishterimit, Ungjilli nuk është një libër i dhënë Jezusit, por vetë jeta, veprat, fjalët dhe ngjarja e Jezusit: Ringjallja, janë lajmi i mirë, janë Ungjilli.
Ai nuk e mori një libër; ai ishte Fjala. Dhe kjo Fjalë u jetua, nuk ishte letër.

Po atëherë, cilët janë “Ungjijtë” që kemi në Bibël?

Kontradikta tjetër është që nuk kemi një Ungjill (Inxhill). Ungjijtë që njohim sot: Mateu, Marku, Luka, Gjoni, nuk janë libra të zbritur nga qielli. Janë dëshmi historike të shkruara nga njerëz të cilët ose e njohën drejtpërdrejt Jezusin, ose e morën dëshminë nga ata që ishin të pranishëm.

  • Mateu ishte vetë apostull;
  • Marku ishte dishepull i Pjetrit;
  • Luka ishte mjek dhe mik i Palit (i cili mbeshtet tregimin e tij ne deshmitar okular krh Luka 1:2);
  • Gjoni ishte ndër më të afërmit e Jezusit.

Ata shkruan për të njëjtin njeri, me perspektiva të ndryshme, por për një përvojë të përbashkët që i kishte ndryshu jetën.

Pra, kur Kurani thotë “i dhamë Isait Ungjillin”, po aplikon modelin islam të shpalljes mbi një realitet tjetër që nuk funksionon sipas të njëjtave rregulla.

Kjo është si me gjyku një koncert muzike klasike me rregullat e boksit, modeli nuk përshtatet me përmbajtjen.

Çfarë pasojash ka ky keqkuptim?

Ky pretendim, që Jezusi mori një libër, ka pasoja serioze për vetë pretendimin islam. Sepse:

  1. Nuk ka asnjë dëshmi historike që Jezusi ka mbajtë ndonjë libër me vete, e aq më pak që i ka shpallë një tekst të shkruar.
  2. Asnjë nga dishepujt e tij nuk përmend ndonjë “libër të dhënë” nga Zoti, por thjesht: “Jezusi mësoi”, “veproi”, “vuajti”, “u ringjall”.
  3. Nëse ky “Inxhil” që Kurani përmend ka ekzistu si tekst, atëherë duhet me na e tregu dikush se ku është, ku gjendet ai libër? Kush e mbajti? Në cilin dorëshkrim është ruajtë?

Përgjigja që zakonisht jepet është: “Ka humbë.”

Po si ka humbë një libër i shpallun nga Zoti? A nuk ishte Zot që do me e ruajt fjalën e vet? Nëse nuk mundi me e ruajt atë, pse me besu që mundi me e ruajt Kuranin?

Kështu, në përpjekje për me “rrit” autoritetin e Jezusit në modelin islam, apologjetët islamë pa dashje e reduktojnë figurën e Tij, nga personi që është Fjala, në thjesht një bartës të një libri që s’ekziston më.

Historianët paganë s’e mohuen Jezusin, e as ringjalljen që u predikue

Një tjetër pretendim që përhapet me lehtësi është ky: “Jezusi është mit. S’ka pas asnjë dëshmi historike që ai ka ekzistue.” Kjo fjali mund të tingëllojë mirë për ndokënd që s’e ka kapë librin ndonjëherë, por është një absurditet në dritën e burimeve historike që ekzistojnë.

Shumë përpara se të shkruheshin traktatet teologjike, e shumë përpara se të kodifikohej ndonjë dogmë, figura e Jezusit përmendet nga historianë paganë, romakë, hebrenj, që s’kishin asnjë interes me përhap fenë e tij.

1. Tacitusi (shek. I–II), një prej historianëve ma të rreptë romakë, shkruan:

“Kristi, themeluesi i emrit [të krishterë], u ekzekutua gjatë sundimit të Tiberit nga prokurori Pilat i Pontit.”
(Annales, 15.44)

Pra, jo vetëm që e njeh ekzistencën e Jezusit, por konfirmon kryqëzimin e tij nën Ponc Pilatin, një detaj që përputhet me Dhiatën e Re.

2. Plini i Riu, guvernator romak, në një letër drejtuar perandorit Trajan (rreth vitit 112 pas Kr.), përmend të krishterët që:

“mblidhen në agim për të kënduar himne Krishtit si Zot.”

Pra, jo vetëm që e përmend emrin e Krishtit, por tregon edhe se ai ishte adhuruar si hyjnor që në fillimet e para, çka bie ndes me idenë që “hyjnia e tij u shpik më vonë”.

3. Flavius Josephus, një historian hebre i shek. I, shkruan:

“Në atë kohë jetonte Jezusi, njeri i urtë, nëse mund ta quash njeri… Ai ishte Krishti.[…] Ai iu shfaq i gjallë atyre që e donin tri ditë pas kryqëzimit.”
(Antiquities of the Jews, 18.3.3)

Edhe pse disa studiues modernë debatojnë rreth saktësisë së këtij pasazhi, të gjithë pranojnë që Josephus ka përmend Jezusin si person real, të kryqëzuar dhe të ndjekur nga dishepujt që besonin se ishte ringjallë.

Po a është e arsyeshme me besu në ringjallje?

Ky nuk është vetëm debat fetar, është një çështje historike dhe logjike.
Profesor Gary Habermas, një nga studiuesit më të njohur në botë mbi temën e ringjalljes, ka analizuar mbi 1.400 burime akademike, nga besimtarë, skeptikë, ateistë e agnostikë, dhe ka dalë me këtë minimum faktesh historike që askush nuk i mohon:

  1. Jezusi u kryqëzue dhe vdiq.
  2. Dishepujt e tij besuan sinqerisht se e panë të gjallë pas vdekjes.
  3. Ky besim u përhap menjëherë, në të njëjtën qytet ku ai ishte varrosë.
  4. Disa skeptikë (si Pali dhe Jakobi) u konvertuen, pas një përvoje që ata e përshkruan si takim me Krishtin e ringjallur.
  5. Varri u gjet bosh.

Tani, ti mund me pas teori alternative për çdo fakt më vete, por kur i sheh të gjitha bashkë, është shumë ma e arsyeshme me besu se diçka e jashtëzakonshme ndodhi.

Pra, ringjallja nuk është vetëm besim, është qendër e historisë, dhe bazë e transformimit të një grupi njerëzish të frikësuem në dëshmitarë që dhanë jetën e vet për këtë të vërtetë.

Për fund…

Bibla s’asht veç një libër. Nuk është thjesht një tekst i lashtë që lexohet për kulturë apo për devocion. Bibla është kujtesë kolektive e një populli që ka jetu me Zotin e jo veç për Zotin. Ajo nuk ka ardhë si formulë magjike prej qiellit, por si një udhëtim njerëzor, i shkruem me gjak, me lot, me shpresë, me gabime, me kthesë, me dashni.

Ajo nuk rron veç në letra. Ajo rron në zemrat e atyne që kanë dashtë edhe kur s’kanë kuptu, që kanë falë edhe kur janë kryqëzu, që kanë besu edhe kur u është kërku me heshtë. E rron në jetët e martirëve që s’e lanë fjalën me u shu, në nënat që kanë msu fëmijët, etj.

Bibla s’ka nevojë me u mbrojt me zhurmë. Ajo e mbron veten me jetën që ka gjeneru.

E për krejt ata që pyesin: “Po a nuk është ndryshu?” , përgjigjja s’asht ideologjike. As shpirtërore. As besimtare.

Është historike, filologjike dhe faktike:
Jo. Nuk ka ndryshu. As nuk ka pasë nevojë me u ndryshu. As nuk ka pasë kush me e ndryshu.

Sepse fjala që del prej dashnisë, s’ndryshohet. S’zhduket. S’manipulohet. Ajo thjesht transformon atë që e pranon:

“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.”
Mateu 22:37

“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”
Mateu 22:39

“Por unë po ju them: duajeni armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin.”
Mateu 5:44