Në paradoksin e zhvillimeve njerëzore, ku gati gjithmone e gjejmë njerzimin në një tren pa timonier, mesazhi i Krishtit ishte më shumë sesa i domosdoshëm. Ky mesazh nuk ishte dhe as nuk është nj doktrinë, por është zbulesë e nji pikëpamje revolucionare të dashurisë, mëshirës dhe dinjitetit njerëzor.
Nga pikëpamja filozofike, vendosi në qendër të vëmendjës sakralitetin e personit, lirinë dhe dashurinë pa-interes. Politikisht, sfidoi sistemet totalitare dhe autoritare, duke i promovuar vlerat e drejtësisë dhe barazisë. Në nivel social, transformoi bashkësitë, duke e inkuraju solidaritetin, shërbimin kundrejt tjerëve dhe respektin për më të dobëtit. Teologjikisht, zbuloi një Zot që është në kërkim të njerëzimit, që ofron dashuri, shpresë dhe shpëtim.
Përvetësimi i këtij mesazhi si stil jete është një thirrje për të jetuar Ndryshe – për të përqafuar drejtësinë dhe dashurinë si themel të ekzistencës sonë.
Ky stil jete, në historinë e krishtërimit nuk ishte i lehtë i dëshirueshëm. Ishte e thënë nga vet Krishti që “Askush nuk mund ti shërbej dy pronarëve” (Mateo 6:24), në këtë rast njeriu vendoset në udhëkryqin e zgjedhjes ekzistenciale.
Ai gjithashtu paralajmëroi ndjekësit e tij se “Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe juve” (Gjoni 15:20), dhe “Do të jeni të urryer për shkak të emrit tim” (Mateu 10:22).
Ky është thelbi paradoksal i stilit të jetës që Krishti ofroi – një rrugë që shpesh kërkon përballje me vështirësi, por që gjithmonë çon drejt së vërtetës dhe dashurisë.
Zanafilla e t’krishtenve
Në shekujt e parë, ndjekësit e Krishtit, të quajtur të krishtenë, përballeshin me një botë romake të mbushur me kulte dhe filozofi të ndryshme. Imagjinoni Judenë ku në të bashkjetonin: Hebrenjtë, Samaritanët, Romakët, Greko-Romakët, Idumenët, Nabateanët, Sirianët, Egjiptianët, Armenët, Arabët, Persët.
Ky stil jete ishte një sfidë për rendin ekzistues, duke qenë në kundërshtim me të gjitha praktikat dhe besimet e tjera sidomos ajo romake. Për këtë arsye, të krishten’t e parë u përndoqën ashpër, duke refuzuar të adhurojnë zotërat romakë dhe perandorin.
Historiani Tacito dëshmon se “Neroni i fajsoi të krishtenët për zjarrin e madh të Romës” (64 pas Krishtit). Plinio i Riu përshkruan se si “të krishtenët u dënuan në arenë, ku u ushqyen kafshët e egra”.
Përndjekja ishte aq e pamëshirshme saqë shumë të krishtenë u detyruan të fshihen nëpër katakombe për t’i shpëtuar vdekjes. Kjo përndjekje dhe vrasje u itensifikua gjatë pushtetit të Neronit (64 pas Krishit) dhe të Dioklecianit (303-311).
Martirët si Shën Pietri dhe Shën Pali janë dëshmi e gjallë e sakrificës së jashtëzakonshme për këtë mesazh.
Shën Pietri u kryqëzua me kokë poshtë, duke refuzuar të kryqëzohej në të njëjtën mënyrë si Krishti.
Shën Palit iu pre koka jashtë mureve të Romës – një nderim i veçantë për statusin e tij si qytetar romak, por gjithsesi një martirizim për besimin e tij kundrejt atij Mesazhi.
Këta martirë e shumë të tjerë ishin dëshmitarë të gjallë të besimit të tyre, të cilët përballeshin me vdekje për të mbrojtur të vërtetën, mesazhin që Krishti solli. Pse zgjidhnin të vdisnin dhe jo të vrisnin?!
Tertulliani shprehet në “Apologjia” se martirët e krishtenë konfirmuan vërtetësinë e mesazhin e Krishtit, duke preferuar vdekjen sesa ta mohonin Atë, një dëshmi e fuqishme për konsolidimin e bashkësisë së krishtenë.
Epoka e errët
Me konvertimin e Konstantinit në vitin 313, krishtërimi u bë një religjon i toleruar dhe, më pas, religjoni i shtetit. Por ky bashkëpunim midis Kishës dhe Shtetit solli forma të reja përndjekjeje dhe kontradiktash në lidhje me mesazhin e Krishtit.
Ndarja e Kishës Lindore dhe Perëndimore (1054) ishte përçarja e parë që përçau botën e krishterë ndërmjet Kishës Katolike Romake dhe Kishës Ortodokse Lindore ndodhi për faktorë që përfshin dallimet teologjike, praktikat liturgjike, çështjet politike dhe autoritetin papnor. Braktisje e mesazhit të Krishtit ku dashuria dhe uniteti shpalosin shpëtimin universal.
Ndërkohë që Kisha Romake fitonte ndikim politik, dhe ato Ortodokse lindore lidheshin me mbretëritë apo shtetët më vonë si ajo Ruse, Greke, etj, ato përballëshin me sfida të mëdha, duke u përfshirë në simoni (shitje e sakramenteve) dhe nepotizëm, bekime luftrash, ndërsa klerikët shijonin një jetë lluksoze.
Duke u kthyer në Kishën Katolike Romake, Kryqëzatat dhe Inkuizicioni ishin dy nga kontradiktat më të mëdha në historinë e saj.
Në emër të mbrojtjes së fesë, dhuna u justifikua, dhe krijoi një hendek të thellë midis mesazhit të dashurisë së Krishtit dhe praktikave të ashpra të kishës.
Megjithatë, nuk mund të anashkalohet kontributi i madh i Kishës në zhvillimin e kulturës dhe mendimit në Mesjetë.
Etërit nëpër monastire nën moton (ora et labora = puno dhe lutu) përveç lutjeve dhe liturgjisë ditore, punuan në analiza të shkrimeve të antikitetit, ruajtje të kulturës antike, etj.
Shën Tomë Akuini zhvilloi teologjinë skolastike, duke harmonizuar filozofinë aristoteliane me mendimin e krishtenë dhe formuloi argumentet mbi ekzistencën e Zotit.
Shën Bonaventura, një tjetër figurë e rëndësishme, integroi misticizmin me mendimin skolastik, duke theksu rëndësinë e përvojës mistike në njohjen e Zotit, etj.
Këta mendimtarë ndikuan thellë në formësimin e mendimit teologjik dhe filozofik të Mesjetës dhe më tej.
Nga ana tjetër, roli i kishës ishte themeltar në universitet europiane, si ai i Bolonjës, Parisit, Oksfordit, etj.
Zhvillimi i artit dhe arkitektures reflektoi në atë të katedraleve gotike si ajo e Notre-Dame de Paris dhe katedrales së Chartes dhe ai i artit që kishin për qëllim shpërndarjen e mesazhit të Krishtit.
Pranvera e arsyjes
Në modernitet, rilindja dhe illuminizmi sollën interes të madh për arsyjen dhe shkencën, të cilat shpesh ishin në kontrast me doktrinën e kishës katolike!
Kështu, në atë periudhë, i’a vlenë të theksohet Reforma Protestante (1517) e cila e ndau krishterimin dhe sjelli forma të reja të përndjekjes së dhunshme fetare.
Gjatë shek 16-17, filluan përndjekjet dhe luftërat fetare në Evropë. Ja vlenë të theksohet “The Thirty Years War” ku në skenën e saj ishin katolikët dhe protestantët duke u vrarë në emër të fesë. (Heinrich von Treitschke).
Shkenctarët si Galile Galileo, filozofi Giordano Bruno, etj, u përndjekën nga inkuisicioni, per zbulimet e tyre shkencore, të cila ishin në kontradiktë me interpretimet biblike tradicionale.
Klerikët e kishave kishin fituar autoritet i lejonin vetës t’i thonin popullit se kush do shkonte në parajsë; sa duhet të paguanin për të shkuar në parajsë; kush do shkonte në ferr; se a ishte toka e sheshtë apo e rrumbullakët; se dikush që kishte ndonjë sëmundje ishte i mallkuar nga Zoti; e shumë fenomene të tjera. Kjo po që ishte shumë larg mesazhit të Krishtit.
Krishtërimi përball postmodernitetit
Në epoken postmoderne, krishterimi, po ballafaqohet me sfida të reja, si sekularizimi, relaitivzmi kulturor, shumëllojshmëria fetare, apo regjimet totalitare.
Në vende me regjim totalitar si Korea e Veriut apo disa vende të Lindjes së Mesme, të krishterët vazhdojnë të dhunohen, të masakrohen, ngaqë i përkasin një “credo” tjetër.
Nga Human Rights Watch, Report on North Korea deklarojnë që edhe pse një shtet me regjim totalitar komunist ekzistojnë komunitete të krishtera ku “të krishterët burgosen dhe torturohen shkaku i besimit të tyre”.
Ndërsa në Lindje të Mesme “bashkësitë të krishtera janë të kërcënuara dhe drejt zhdukjes shkaku i dhunës sektare” sipas Amnesty International.
Në postmodernitet u shpalosën dhe abuzimet seksuale, manovrat ekonomiko-financiare, pedofilia, të cilat kishin nxënë vend në jetën e disa ish-klerikëve brenda kishës katolike, kishave tjera të fraksionuara, të cilat janë në kontradiktë edhe më të thellë me mesazhin e Krishtit.
Përndjekja e mesazhit të Krishtit nuk është fenomen që u zbatua vetëm nga judejtë e romakët e kohës së Tij, apo nga regjime totalitare, sisteme politike, religjone të tjera por edhe nga vetë kisha.
Teologu Dietrich Bonhoeffer pohon faktin e ekzistencës së kësaj kontradikte duke thënë që “Krishti nga ka mësuar ti duam armiqtë, por historia na ka faktuar që shpesh kemi dështuar në këtë”.
Përmbyllje
Nga antikiteti e deri në post-modernitet, ky mesazh ka ballafaquar sfida si të brendshme ashtu dhe të jashtme.
Megjithatë, ky mesazh i dashurisë, paqës dhe drejtësisë mbetët i pandryshueshëm dhe flet në çdo kohë, çdo politikë, kulturë dhe shoqëri, pamvarësisht akuzës që Bibla ka pësuar ndryshime.
Mesazhi i Krishtit nuk është libër por është Person: rruga, jeta dhe e vërteta!
Ky mesazh mund të jetë i pakëndshëm për postmodernitetin, mund të ironizohet, të deformohet apo abuzohet por vërtetësia qëndron në kërkesën e Tij:
- “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.” (Mateo 22: 37-40)
- “Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japësh jetën tënde për miqtë e tu” (Gjoni 15:13).
- “Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju salvojnë (përndjekin)” (Mateu 5:44)
- “Fali ata, o Atë, sepse nuk dinë çfarë bëjnë” (Luka 23:34).
Kjo është Mrekullia në mes Paradoksi.
“Në martirizimin e krishterë, gjejmë paradoksin e fitorës përmes humbjes.” – J.R.R. Tolkien, “The Letters of J.R.R. Tolkien”